Interviste me ish Kryeministrin z.Aleksander Meksi

Publié le par Bençori

 

Aleksandër Meksi: Sfidat që presin Kosovën

 


Aleksandër Meksi: Sfidat që presin Kosovën
Mer, 20 Shkurt 2008
Lindita Çela


Aleksander Meksi



Ish-kryeministri rrëfen emocionet e shpalljet së Pavarësisë së Kosovës, arsyet përse nuk ishte në seancën parlamentare si dhe qëndrimin që duhet të ketë Shqipëria përballë shtetit më të ri, Kosovës.

Nuk ka qenë ndër të ftuarit që përfaqësonin intelektualët e këtij vendi në Parlament, ku u zhvillua seanca e jashtëzakonshme për Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Për të nuk ka patur ftesë as si ish- kryeministër i këtij vendi, ndoshta me argumentimin se asnjë prej sërës së tij që nuk është deputet, nuk ka patur vend në Parlamentin Shqiptar. Për Aleksandër Meksin, 17 Shkurti 2008, është shumë më shumë sesa prania në një seancë Parlamenti, qoftë kjo edhe e jashtëzakonshme. Harresë të cilën e komenton si një filozofi aktuale që nëse nuk je në pushtet, je armik, por kjo nuk i ka bjerrë aspak gëzimin se shqiptarët e andejmë (shpesh përdor këtë term për Kosovën) po shpallnin Pavarësinë. I gozhduar përballë televizorit, ka ndjekur çdo sekondë të ditës më të rëndësishme të shqiptarëve. Ka këqyrur këtë eveniment të rikthimit të drejtësisë së mohuar të shqiptarëve për afro një shekulli, në çdo mendje të huaj. Është shkëputur nga mediumet e komunikimit vetëm atëherë kur më në fund ëndrra shekullore e shqiptarëve preku realitetin. Tashmë, Kosova është e lirë por për ish-kryeministrin Meksi, Pavarësia është fillimi i sfidave më të mëdha të këtij vendi. Në një intervistë për gazetën "Shekulli", Aleksandër Meksi rrëfen emocionet e shpalljes së Pavarësisë, sfidat që presin shtetin më të ri të botës, rolin që duhet të luaj Shqipëria në rimëkëmbjen e vetes dhe pjesës tjetër të kombit shqiptar.

Z.Meksi pas afro një shekulli Kosova shpallet shtet i Pavarur. Në ndryshim me shumë politikanë askund nuk është vënë re prezenca juaj, dhe pse keni qenë Kryeministri i parë në aspiratën e ndërtimit të një shteti demokratik. Ku e keni kaluar ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës?

Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës kam qenë në shtëpi. Nuk kam lëvizur asnjë sekondë. Kam qenë duke ndjekur gjithë situatën por jo vetëm nga televizionet shqiptare por edhe ato të huaja, për të parë se si përçoheshin këto fakte. Shpallja e pavarësisë ishte një eveniment, një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për historinë e Shqipërisë, jo vetëm për historinë e Kosovës, por mbi të gjitha, sepse vinte në vend një padrejtësi një shekullore ndaj kombit shqiptar. Ishte e rëndësishme për faktin se tregonte dëshirën e shumë vendeve për të mbështetur këtë Pavarësi dhe do të mbështesnin pavarësinë e Kosovës për ta integruar këtë shtet në komunitetin ndërkombëtar.

Z.Meksi cilat kanë qenë emocionet që keni përjetuar duke parë realizimin e kësaj ngjarjeje kaq të rëndësishme për shqiptarët?

Kur flitet për Pavarësinë e Kosovës sipas metodës arbërore, që bota fillon sot, të gjithë mendojnë se janë dy-tre veta që folën ditët e fundit ata që bënë Pavarësinë e Kosovës. Pavarësia e Kosovës është rezultat i përpjekjeve gati e 100 vjetëve të shqiptarëve të andejshëm dhe të këndejshëm që u munduan, që u përpoqën, që vuajtën, që u martirizuan, që u vranë, u internuan, pikërisht pse donin që Kosova të ishte jashtë Serbisë, Kosovën me Shqipërinë, Kosovën e Pavarur. Pra mos ta vështrosh këtë ditë historikisht dhe t'ia atribuosh këtë çështje dy apo tre vetave që ngrifen nëpër televizorë sot, ashtu si ne që flasim për të e të pandehim se jemi ne të parët që po e komentojmë këtë, është gabim, është krejtësisht e gabuar.

Emocionet ishin të mëdha sepse bëj pjesë në ata shqiptarë që e kanë konsideruar Kosovën gjithnjë Shqipëri dhe që kisha bindjen që një ditë, me përpjekjen e shqiptarëve dhe me ndihmën e ndërkombëtarëve, kjo ditë do të vinte. Sigurisht që ishin ndodhitë e vitit '81-'89 ato që pamundësuan një bashkëjetesë të mëtejshme nën të njëjtën çati ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të ish-Jugosllavisë. Gjenocidi i '99-ës i Millosheviçit, me luftën e shqiptarëve të Kosovës dhe me ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s ishin komponentët vendimtar për nxjerrjen de facto të Kosovës jashtë Jugosllavisë, që mundësuan këtë ditë të Pavarësisë. Të gjitha këto është mirë të mos harrohen sepse kemi thënë se shqiptarët e këndejshëm vonë morën vesh se Kosova është Shqipëri dhe kosovarët flasin shqip. Mund të them akoma dhe sot, nuk ka dijeni të plotë për historinë e asaj pjesë të Shqipërisë, nuk ka harta të plota apo libra.

Në Kosovë ende vazhdojnë kremtimet, ndërsa Shqipëria zyrtarisht e përcolli këtë ceremoni nga salla e Parlamentit. Ju, pse nuk ishin i pranishëm?

Me sa di aty ishin deputetet dhe intelektualë të ftuar. Mungonin, siç kam mësuar nga media, ish-kryeministrat dhe ish-presidentët që nuk janë deputetë. Duket se ata që merren me organizimin e ceremonive të tilla, kanë koncepte që kush nuk është në pushtet e konsiderojnë armik e të jesh armik i njerëzve të tillë, është krenari. Po kështu në seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit Shqiptar kishin ftuar intelektualë. Nuk kam ndonjë vërejtje që nuk na quajnë intelektualë, por bëjnë mirë që listat e Ramizit, që përdorin për intelektualët, si ato në gushtin e '90-ës, t'i rifreskojnë me të sotme. Megjithatë festa kremtohet edhe individualisht, nuk ka rëndësi nëse je apo jo pjesëmarrës në një tubim. Por ftesa për ish-kryeministrat dhe presidentët që nuk janë deputetë do ishte në nder të Shqipërisë, jo për të na nderuar neve.

Z.Meksi mos ndoshta për shkak të ftohjes së marrëdhënieve tuaj me krerët e Partisë Demokratike, janë përjashtuar nga lista edhe ish-kryeministrat apo edhe ish-presidentët në këtë ceremoni të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës?

Nuk jam në gjendje ta them, kjo madje as më intereson. Por Partia Demokratike nuk quhet ato që janë në krye. Partia Demokratike është krejt një tjetër gjë. Është ajo që krijuam ne në Dhjetor të '90 për liri e demokraci.

Cilat kanë qenë përpjekjet që ka bërë qeveria që ju drejtuat, për të ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës?

Përpjekjet e para janë në fund të vitit '91 kur Kuvendi i Shqipërisë ka njohur Republikën e Kosovës. Një akt formal, një akt mbase pa fuqi reale, por një akt që shprehte dëshirën dhe vendosmërinë e shqiptarëve për ta konsideruar Kosovën jo pjesë të ish- Jugosllavisë. Ndërsa dy ditë më parë u bë akti formal, le të themi i rifuqizimit të këtij aktit të miratuar në vitin 1991. Ne si qeveri kemi pasur marrëdhënie me ato që përfaqësonin Kosovën. Kemi deklaruar në mënyrë të përhershme që çështja duhet të zgjidhet me përfaqësuesit e dy palëve me prezencën e një pale të tretë, palë e domosdoshme edhe si arbitër por që formalisht, në aspektin juridik të marrëdhënieve ndërkombëtare, do të tregonte që kemi të bëjmë me dy palë të ndryshme. Prezenca e palës së tretë, ishte e domosdoshme për të garantuar dëshmimin e dhunës së përhershme e ndaj shqiptarëve nga ana e serbëve. Kjo politikë ka vazhduar me të gjitha ato vende ku ishte e pranishme Qeveria Shqiptare, në Kombet e Bashkuara, me OSBE-në, Bashkimin Evropian. Ka qenë një linjë e jonë e përhershme për të bërë të ditur të gjithëve se ç'është Kosova, se cilët janë banorët real të saj, cila është përqindja e shqiptarëve në këto treva, cila është dhuna e ushtruar ndaj tyre, mohimi total i të drejtave njeriut, dhe nevoja për t'ju dal për zot shqiptarëve në Kosovë. Unë këtu nuk do të përmend emra por mbaj mend se aso kohe kishte kryetar shtetesh apo edhe kryeministra, që pothuajse dëgjonin për herë të parë këto gjëra që thoshim ne. Kur them "ne" nënkuptoj ata që përfaqësonin Shqipërinë, Presidenti, Kryeministri, Ministri i Jashtëm dhe përfaqësitë tona diplomatike. Ishte pikërisht kjo përpjekje dhe lufta e shqiptarëve dhe përfaqësuesve të shtetit shqiptar, që bëri që të hapen shkallë-shkallë dyer në nivele të ndryshme të diplomacisë ndërkombëtare, të qeverive të huaja për përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës, që ishin presidenti Rrugova dhe kryeministri Bukoshi. Them se kjo përpjekje e Republikës së Shqipërisë qe e madhe dhe e konsiderueshme dhe dha rezultatet e duhura që të huajt t'i dilnin për zot shqiptarëve. Sigurisht që këtu nuk duhet anashkaluar edhe përpjekjet e shqiptarëve në të gjitha vendet e botës, me demonstrata, takime me parlamentarët që sensibilizuan opinion publik dhe qeveritë e këtyre vendeve që sollën ndërhyrjen në vitit 1999, mbas gjenocidit real të Millosheviçit ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës.

Si do ta konsideronit rolin e Shqipërisë në vitet e mëvonshme?

Sigurisht që në ato vite ishte momenti i parë, kishte një tjetër natyrë ndërhyrje. Në vitet e mëvonshme ndërhyrjet qenë të një natyre tjetër sepse ishte në mes UMNIK-u. Qeveritë shqiptare kanë qenë të kushtëzuar për të thënë ashtu si kërkojnë ata, si duhet thënë, dhe në atë masë që duhet thënë, për këtë çështje. Mund të duket absurde dhe mund të kujtojë kohën e Enverit kur njerëzit flisnin ashtu si duhet folur dhe jo ashtu siç e mendonin, por mendoj se ka qenë e domosdoshme kjo formë komunikimi. Madje edhe këto ditë, kur flasim për Kosovën, për çështjen shqiptare, për marrëdhënien ndërmjet dy palëve, për mos praninë e përfaqësuesve të shqiptarëve në Parlamentin e Kosovës e të tjera çështje si këto, gjithmonë flitet nën këtë kornizë.

Dhe ju si e konsideroni këtë fakt?

Këto janë normale për të mos krijuar asnjë lloj keqkuptimi. Është një detyrim i përfaqësuesve zyrtarë që janë në kontakt me të huajt për t'u sjellë në këtë mënyrë. Për t'u shfaqur që nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, që në fakt ishte një nga eveniment më të rëndësishme të shqiptarëve. Por ky është fati i popujve të vegjël, të cilët nuk thonë as atë që është normale, ndërkohë që shtetet e mëdhenj thonë edhe ato anormale, siç është rasti i Rusisë dhe i Kinës. Rusia vazhdon me politikën, siç quanin etërit e tyre marksistë, me politikën e imperializmit të kohës së Carit.

Rusia vazhdon të kundërshtojë me forcë pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që shteti i parë që njohu këtë akt ishte Afganistani. Si i konsideroni këto deklarata?

Unë këto deklarata do t'i komentoja me një shaka të viteve '914-të, faktin që kundër nesh doli Sri Lanka. Në ato kohë, kur i thanë rebelëve të Haxhi Qamilit që pas kolonelit Tomson dhe Qeverisë së Durrësit është Evropa, ai tha se dhe ne kemi Peqinin dhe Kavajën. Edhe serbët kanë Sri Lankën me vete dhe mund të jenë dhe ata krenarë. Afganistani është një vend që njeh Kosovën për shumë e shumë arsye, por ndër të tjera njeh përpjekjet e shqiptarëve për pavarësi dhe për praninë e shqiptareve në Afganistan. Ndoshta edhe për praninë e Afganistanit në Organizatën e Konferencës Islamike. Mund të ketë shumë motive por çdo vend që të jetë, i vogël apo i madh, që njeh pavarësinë e Kosovës, është një kontribut në sytë e opinionit publik ndërkombëtar sepse edhe numri i vendeve, sigurisht edhe pesha e tyre, është në favor të çështjes së Kosovës, dhe ne duhet t'i falënderojmë .

Ju thatë që më parë se, përgjatë këtyre viteve politika shqiptare ka qenë e detyruar të ketë një kornizë komunikimi. Mos pjesëmarrjen e asnjë prej përfaqësuesve shqiptarë në Kosovë e konsideroni një veprim për të mënjanuar zërat e Shqipërisë së Madhe?

Teza e Shqipërisë së madhe është një tezë dashakeqe dhe nuk nderon asnjë shqiptar, pavarësisht nga posti që ka, që e zë me gojë. Nuk mund të emërtosh një gjë të mirë me cilësim të keq të një dashakeqësi dhe është turp, për të gjithë ata politikanë shqiptarë që e zënë me gojë, ta zënë të huajt, është punë e tyre. Serbia e Madhe, është thënë për tendencën e Serbisë për të marrë toka të banuara nga të tjerët. Shqiptarët nuk quajnë Shqipëri ato vende që nuk janë të banuar nga shqiptarët, ku nuk kanë banuar shqiptarë kohet e fundit dhe ku nuk janë me shumicë shqiptare. Është një epitet që nuk i shkon Shqipërisë.

Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet shteti më i ri i botës?

Kosova përballet më sfida të jashtëzakonshme për shkak të rrethanave që prunë këtë shpalljeve të pavarësisë, për shkak të rrënimit ekonomik që Serbia bëri vitet e fundit në Kosovë, për shkak të shkallës së lartë të emigrimit të forcave prodhuese të Kosovës, të papunësisë së madhe, të gjendjes së keqe të ekonomisë kosovare. Por shqiptarët e Kosovës janë një bashkësi punëtore, (mos ta dëgjojë njeri, mbase më shumë se ne të këndejshmit), njohin pronën dhe dobinë e saj, kanë përvojë ndërkombëtare më shumë se sa ne, kanë shumë gjëra negative që duhet t'i mposhtin, si mos kalimin e kësaj përvoje ndërkombëtare tërësisht në Kosovë, dhe qëndrimin jashtë që vinte për shkak të keqtrajtimit apo dëbimit nga ana serbe. Tani është koha që këtë pasuri që kanë vënë jashtë ta kthejnë. Nuk është njëlloj si emigracioni i këndejshëm. Emigracioni shqiptar nga Republika e Shqipërisë ishte me torbë dhe pa pasaportë, për të mbijetuar dhe për të ndihmuar Shqipërinë me ato pak mundësi që krijojnë. Për shumë rrethana të politikës shqiptare një pjesë e mirë e tyre kërkon të integrohet atje sepse nuk e sheh të dobishme të kthehet këtu. Ndërsa për rastin e Kosovës ka një diferencë. Sfida tjetër është që për 9 vjet vazhdonin të flisnin për shkëputjen e Kosovës nga Serbia. Nuk ka programe politike reale dhe duhet t'i shkruajnë tani. Aq e vërtetë është kjo sa që po të pyesësh kush është i mjaft apo i djathtë në Kosovë mund të thuash vetëm që janë kosovarë sepse kjo akoma nuk shihet në programet e tyre. Pra sfida me e madhe është ndërtimi i një Kosove të re, përparimtare, demokratike, evropiane. Pra duke u mbështetur në tre kolona, atë që thonim ne në '91-in. Shtetin e së drejtës, ekonominë e tregut dhe të drejtat e njeriut.

Ju thatë që shteti shqiptar në vazhdimësi ka mbështetur Kosovën, tashmë ç'rol mendoni se duhet të luajë qeveria shqiptare? Fakti që ditët e festës së Pavarësisë Kosova është furnizuar me energji nga Shqipëria, a duhet konsideruar si nisja e një rruge të gjatë bashkëpunimi?

Unë mendoj se ajo që ndodhte në vitet '92-'96 në Komisionet e Përbashkët për Çështjet e Ndihmës Ekonomike dhe të tjera aktivitete të përbashkëta, publike ose jo, duhet të vazhdojë edhe sot. Është detyra e atij që e konsideron veten shqiptar ta konsiderojë Kosovën si një komponente të njëjtë në vendin tonë. Kjo në kuptimin që duhet të ketë rrugë komunikimi, marrëdhënie tregtare preferenciale, lehtësira në lëvizjen e njerëzve, integrim të aktiviteteve ekonomike. Sot është Shqipëria që për shkak të një defekti të termocentraleve të Kosovës dërgon energji atje, nesër do të jeni të sigurt që do të jenë termocentralet e andejshme, të cilat do të na furnizojnë kur të mos bjerë shi apo do t'i kemi zbrazur hidrocentralet nga menaxhimi "efikas" i rezervave energjetike.

Shqipëria duhet të bashkëpunojë ngushtësisht në fushën e ekonomisë apo edhe në hartimin e programeve të përbashkëta që të marrin në konsideratë zhvillimet e asaj pjese me këtë pjesë të Shqipërisë. Do të thosha dy fusha ku ky bashkëpunim mund të jetë tepër i lehtë dhe i domosdoshëm: bujqësia apo turizmi. Për mendimin tim, kemi mundësi për "planifikime" të përbashkëta. Kur i bënte këto programe Enver Hoxha me Titon, nuk kanë pse mos t'i bëjnë shqiptarët me shqiptarët. Një fushë tjetër mund të jetë edhe bashkëpunimi në fushën e energjisë ku për mendimin tim, nuk është e nevojshme që ne të ndërtojmë TEC-e kur ato janë atje. Ne kemi mundësi të ndërtojmë hidrocentrale dhe linja. Unë përdora termin bashkëpunim dhe komplementaritet, pikërisht për faktin se ne nuk mund të japim para` por mund të bëjmë vetëm veprime të përbashkëta, për marrjen në konsideratë të ekonomisë dhe mbështetjen e tyre. Në këtë kuptim si Shqipëria dhe Kosova mund të bëjnë veprime të përbashkëta të cilat mund të sjellë fuqizim të ekonomisë në secilin prej vendeve dhe në bashkësinë e tyre.

Ndërtimin e rruga Durrës-Kukës-Morinë a e shihni si pjesë e këtij bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë?

Kjo ka qenë shtruar që në kohë tonë dhe tashmë mund të bëhet realitet, por gjithnjë brenda rregullave.

Pavarësia e Kosovës është shoqërua me protesta në Beograd dhe Mitrovicë. A e cenojnë këto ngjarje pavarësinë?

Shqiptarët janë ndër ata që çfarë bëhet tek fqinjë nuk ju intereson, por unë do të habitesha nëse në Beograd nuk do të kishte protesta. Si shqiptar do të thosha ku qëndron hilja, nëse dita e Pavarësisë së Kosovës do të kalonte në qetësi apo do të kishte miratimin e tyre.

Z.Meksi a jeni dhe ju të mendimit që Pavarësia do të sjellë një zhvillim të shpejtë ekonomik në Kosovë?

Unë thashë më lart se disa komponentë të ekonomisë kosovare, si prona, përvoja do të ndikojnë në një zhvillim të shpejt të vendit. Por kjo nuk mjafton. Ecuria duhet të jetë pjesë e programeve politike. Natyrisht nëpërmjet tyre brenda tre ditëve nuk do të bëhet Kosova si Zvicra. Për mendimin tim gjithçka që do të bëhet do të arrihet vetëm nëpërmjet punës, demokratizimit dhe reformimit. Reformat ekonomike jo vetëm në Kosovë, Shqipëri por edhe në vende të tjera kërkojnë kohën e tyre. Unë do të gëzohesha nëse ky zhvillim do të jetë më i shpejtë. Si shqiptar për mua është një lloj si atje dhe këtu. Unë bëj pjesës ndër ata që gjithnjë e kanë quajtur Kosovën Shqipëri.

Pregatiti materialin Engjell Shehu

 

Commenter cet article