Marre nga GazetA Korrieri
Çfarë ndodhi dje rreth orës 11.15 në malin e Jezercës? Nga kush fshihej helikopteri që fluturonte në kuotë të ulët brenda hapësirës shqiptare, për të mos u interceptuar nga radarët? Pse udhëtoi urgjent drejt zonës vetë drejtori i qendrës së emergjencave civile? Pse u ndërprenë kërkimet menjëherë në orët e drekës? Pse nuk është NATO në gjendje ta lokalizojë vendndodhjen e helikopterit me pamje satelitore? Kush i urdhëroi banorët e zonës që të ndërrojnë menjëherë dëshmitë?
Tre versionet e rrëzimit të helikopterit
1 – Mision sekret i NATO-s?
2 – Shkelje e hapësirës sonë ajrore nga Mali i Zi?
3 – Helikopter spiun rus nga baza e Banja Lukës në Bosnje?
Është afërsisht ora 11 e 15 minuta në lartësitë e Jezercës në Shqipërinë e Veriut. Zona ku kryqëzohen kufijtë e tre shteteve, Shqipëri, Kosovë dhe Mal i Zi, pas pak minutash do të shndërrohet në teatrin e një ngjarjeje me të cilën shtypi dhe opinioni publik do të merren për një kohë të gjatë.
Me një zhurmë e qartë dhe e pangatërrueshme, helikopteri shpon veshën e dhjetëra banorëve dëshmitarë okularë të ngjarjes, që pas pak do të shndërrohet në një mister të madh. Pak minuta më pas një shpërthim, tym dhe sipas dëshmive, edhe britma njerëzore. Çfarë ka ndodhur realisht? Mundësia e një tragjedie njerëzore është sigurisht më e rëndësishme sesa ajo e gjithë detajeve anësore që kanë çuar deri këtu. Kush humbi jetën në Alpet Shqiptare mesditën e djeshme? Një numër i madh informacionesh kontradiktore përmbytën edicionet informative televizive dhe lajmet e agjencive vendase dhe të huaja. Por teksa orët e së martës misterioze të 4 marsit 2008 zëvendësuan me shpejtësi njëra-tjetrën dhe teksa nata mbuloi gjithçka, në vend të qartësimit të gjithë asaj çka ndodhi, që do të ishte rezultati logjik i distilimit të një dite të tërë hamendësimesh, por edhe provash konkrete në terren, është kaosi dhe një lumë pikëpyetjesh që vërtiten në mendjet e të gjithëve ne.
A u rrëzua vërtet një helikopter dje rreth mesditës në Jezercë? A mbante ai flamur shqiptar? A ishte ai në një mision mirëdashës? Kush e kishte dërguar këtë helikopter dhe pse druajnë autoritetet shqiptare të pohojnë se nuk kanë asnjë dijeni për atë që ndodh në hapësirën tonë ajrore, nëse shkelet ajo apo nëse ka ndonjë sy që vëzhgon mbi të? Pse u përhapën lajmet se helikopteri i rrëzuar i përkiste aleancës së NATO-s, kur vetë NATO-ja pohoi më pas se nuk kishte asnjë lloj informacioni për këtë që ndodhi? Teksa ekzistojnë të regjistruara një mori dëshmish të banorëve, që pohojnë se kanë dëgjuar vërtet diçka komprometuese, që korrespondon me rrëzimin e një helikopteri në zonën e tyre, pse papritur të gjithë heshtën dhe kaluan në versionin “nuk pashë gjë, nuk dëgjova gjë”? Kush u kujdes posaçërisht që mbi këtë histori të bjerë një vel enigme?
“Korrieri” mësoi dje nga burimet e veta ushtarake, se mjeti fluturues ka qenë sigurisht në një kuotë shumë të ulët, përderisa asnjë nga radarët nuk ka qenë në gjendje që ta interceptojë atë. Kjo do të thotë se ky helikopter po mundohej të fshihej nga shikimi i atyre që mbikëqyrin këtë zonë. Kush janë ata që e mbikëqyrin këtë zonë? Ajo është komanda ajrore e NATO-s në Aviano të Italisë, ose Rinasi shqiptar me diferenca të forta cilësore që i ndajnë në kapacitetet e tyre vrojtuese. Mundësitë janë që, ose të kemi të bëjmë me një mision sekret të NATO-s në atë zonë, për të cilën autoritetet shqiptare nuk është parë e arsyeshme që të njoftohen, ose vërtet edhe baza e NATO-s është kapur e papërgatitur nga shfaqja dhe më pas zhdukja e këtij helikopteri në një zonë kaq delikate sa kufiri Shqipëri-Kosovë-Mal i Zi.
Në këtë moment pistat më të mundshme janë dy. Ose kemi të bëjmë me një dhunim me ose pa dashje të hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë nga një helikopter malazez, ndoshta në ndonjë mision antikontrabandë. Ky skenar mbështetet nga fakti se fluturimi në kuotë të ulët i helikopterit të lë të kuptosh se drejtuesit e tij duhet ta njohin mirë zonën dhe relievin e saj të thyer.
Versioni tjetër, që për nga tensioni i situatës në Kosovë dhe pozicionin gjeografik ku ndodhi incidenti ka shumë gjasa të jetë i mundshëm, është ai i fluturimit të paautorizuar, me qëllime spiunazhi të ndonjë helikopteri rus nga baza e SFOR-it në Banja Lukë të Republikës Srpska në Bosnje. Një mision vrojtimi, përpilim hartash apo vëzhgim lëvizjesh, të gjitha mund të jenë qëllimi i një fluturimi të tillë, i cili përfundoi në mënyrë fatkeqe. Për secilën nga versionet mund të hapen diskutime dhe të gjenden argumente në favor ose kundër. Ajo që nuk meritojnë qytetarët e Shqipërisë, është që dikush përpiqet t’u heqë atyre të drejtën për të ditur se çfarë ndodh në vendin ku jetojnë apo nëse u kanoset ndonjë rrezik.
Fluturimi në kuota të ulëta dhe aparatura që kapi sinjalin
Një aparaturë e quajtur “EOT”, kapi e para sinjalin e menduar se lëshoi helikopteri. Kjo aparaturë e ka përcjellë menjëherë sinjalin në linjë satelitore dhe mandej i është dërguar nga sateliti radarit qendror në Brindisi. Burime aeroportuale i thanë “Korrierit”, se radari i Brindisit e përcolli sinjalin, i cili u kap mandej nga disa qendra. Problemi themelor që rrit dyshimet, është se helikopteri i menduar ka fluturuar në kuotë shumë të ulët, ndaj nuk është interceptuar nga radarët as në Tiranë, as në Podgoricë dhe as në Prishtinë. Zakonisht në kuota të tilla të ulëta në ato terrene jashtëzakonisht të vështira nuk mund të fluturohet nëse nuk e njeh rrugën, ose vetëm nëse rastësisht ke mbetur andej. Dje, në hapësirën ajrore të Shqipërisë ishte ngritur në fluturim vetëm një helikopter dhe ai kishte mbërritur “shëndoshë e mirë” në Peshkopi, destinacioni i tij. Burimet nuk e mohuan mundësinë që të jenë variante të fluturimit të ndonjë helikopteri rus apo ndonjë malazezi, por absolutisht nuk ka linjë të vërtetuar. Ndërkohë, hapësirën ajrore e ka në ngarkim për ta ruajtur Ministria e Mbrojtjes, zakonisht në rastet kur flitet për shkelje të integritetit (territorial). Por, në bazë të marrëveshjeve me NATO-n në kuadër të Partneritetit për Paqe, hapësira ajrore është thuajse nën kontroll të plotë nga aleatët në të gjithë rajonin, aq më shumë për shkak të misioneve në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. Por për çdo lloj fluturimi duhet të merret leje. Hapësira ajrore ndahet në korridore të përcaktuara, normalisht civile dhe ushtarake, por sipas burimeve është shumë e rëndësishme që në këtë rast, asnjë forcë ushtarake nuk ka bërë ndonjë koment.
Misteret e zhdukjes së helikopterit
Në mëngjes, banorët e fshatit Valbonë dhanë alarmin për përplasjen e një avioni me malin e Jezercës. 5 orë kerkime çuan veçse në dyshime e pasiguri për ngjarjen
Frika e një tragjedie ajrore, pasditen e djeshme u kthye në misterin e zhdukjes së një helikopteri apo avioni. Pas gati 5 orësh kërkime me tre mjete fluturuese të Forcave Ajrore, rezultati i gjetjes së mbetjeve të mundshme të një avioni të vogël ose një helikopteri ishin zyrtarisht veçse një hiç. Në fakt, çfarë ndodhi në majë të Jezercës apo diku aty rrotull, nga ora 4.25 e mëngjesit të djeshëm e deri në orët e vona të pasdites së djeshme. Edhe vetë banorët e zonës së thellë të fshatit të Valbonës në komunën e Markgegaj-Rragam, në mbrëmje duket se nuk janë më dhe aq të sigurt se çfarë kanë parë a dëgjuar në mëngjes. Nëse në orët e para të ditës së djeshme ata vunë alarmin, duke thënë se kanë dëgjuar një zhurmë avioni në fluturim dhe më pas një zhurmë të madhe, e ngjashme me atë të përplasjes, pasdite, kushedi se përse, po këta banorë pohojnë se tani nuk janë më të sigurt tek veshët e tyre dhe se mund të mos ketë qenë avion, por mbase ndonjë rrëshqitje dheu. Deklarimet e banorëve u bënë dje me dije për “Korrierin” nga kreu i komunës së thellë malore të Markgegaj-Rragam, Rexhë Biberaj. Ky i fundit deklaroi dje, se disa banorë të fshatit Valbonë kishin thënë në mëngjes se kishin dëgjuar një zhurmë të madhe, që besonin se mund të vinte nga ndonjë përplasje e ndonjë avioni a helikopteri me akullnajën e Jezercës, por pasi u shkulën me “të madh e me të vogël” e filluan kërkimet nga ajri, që zyrtarisht nxorën se nuk dukej asgjë gjurmë avioni dhe vetë banorët duket se ndërruan mendja e s’po i besonin më vetes. Tirana zyrtare zjeu dje nga mbledhjet e grupeve të emergjencës dhe atyre të kontrollit, por ende asnjë përgjigje nuk është dhënë nëse në orët e para të ditës së djeshme ka hyrë ndonjë avion në hapësirën tonë ajrore pa leje dhe nëse ka qenë me leje, avioni i kujt shteti a strukture ishte, çfarë ka transportuar avioni, sa mund të jetë numri i viktimave apo dhe nëse ky ishte një alarm fals si ai që ndodhi rreth 2-3 muaj më parë në Bosnje.
Zyrtarisht
Ndërkohë, pasditen e djeshme, Qendra e Përbashkët Operacionale e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme njoftoi median dhe opinionin publik për lajmin e pakonfirmuar të rënies së një helikopteri. Sipas këtij njoftimi, mësohet se nga gjurmimet që bëjnë mjete radiolokative dhe strukturat e thithjes së sinjaleve SOS, që mbulojnë hapësirat ajrore të regjionit të Ballkanit, është raportuar nga RÇ Romë në orën 4.25’ të mëngjesit për një objekt fluturues në koordinatat 49 gradë, 21 minuta dhe 04 sekonda. Ndërsa rreth orës 11.13. të paradites së djeshme, autoritetet e pushtetit vendor dhe banorët e zonës njoftojnë se kanë dëgjuar zhurma në afërsi të malit të Jezercës dhe me konfirmim, edhe të strukturave dhe organeve të caktuara të Ministrisë së Brendshme, ka marrë njoftim edhe Qendra Operacionale e Ministrisë së Mbrojtjes.
Mbështetur në këtë të dhënë, janë marrë masat emergjente nga ana e Forcave Ajrore të Regjimentit të Helikopterëve Farkë. U dërguan në koordinatat e përshkruara tre mjete fluturuese të Forcave Ajrore të Shqipërisë, në bordin e të cilëve, përveç njësitit të ndërhyrjes emergjente, gjendej edhe ekipi i ndihmës së parë. Dyshimi për një aksident të mundshëm, por që mund të kishte të mbijetuar, bëri që të ngrihej Shtabi i Emergjencës Mjekësore.
Nga të gjithë informacionet e marra nga Forcat Ajrore edhe të vendeve fqinjë, KFOR-it, nuk rezulton asnjë mjet fluturues i ngritur që ka përshkruar këtë territor ajror.
Qendra Operacionale bën të ditur se, nëse do të merret kontakt fizik me objektin që mendohet se është aksidentuar në atë zonë, e cila shquhet për korrente të forta ajrore dhe mjegull të vazhdueshme, do të informojë në mënyrë transparente mediat dhe opinionin.
Aktualisht, nga helikopterët tanë nuk është dalluar asnjë objekt në këtë zonë. Operacioni i kërkimit nga ajri u ndërpre rreth orës 16, për arsye të vështirësive të mëdha (mjegull dhe tejpamje të pamundur), ndërkohë që vazhdon operacioni në rrugë tokësore, ku janë angazhuar të gjitha strukturat e Ministrisë së Brendshme dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, me mbështetjen e pushtetit vendor dhe të banorëve të zonës.
Alarmi erdhi nga Italia
0ra 04.25 - Nga Italia vjen një njoftim se ka humbur nga radarët një helikopter. Koordinatat e fundit, veriu i Shqipërisë.
Njoftohet Shkodra
Ora 10:00 - Salla operative e Drejtorisë së Policisë së Shkodrës njoftohet nga salla operative e Ministrisë së Brendshme, se ka humbur një avion, që dyshohet se mund të ishte rrëzuar në zonën e Dukagjinit dhe të Lekbibajve, në kufi mes Shkodrës dhe Tropojës. Fillojnë kërkimet në majën e Cukalit dhe Qafën e Agrit.
Zgjerohet kërkimi
Ora 10:45 - Përveç Majës së Cukalit dhe Qafës së Agrit, po kërkohet intensivisht dhe në Malësinë e Dukagjinit dhe malin e Shkëlzenit. Alarmi për humbjen e mjetit fluturues i dhënë nga Ministria e Mbrojtjes, e cila ka ofruar gjithashtu gatishmërinë e saj për gjetjen e mjetit fluturues.
Njoftohen vendet e Ballkanit
Ora 11:00 - Kreu i Emergjencave Civile, Alfred Olli, bën të ditur se alarmi për humbjen është dhënë që në 4:25 të mëngjesit dhe se ka mbërritur nga Italia. Olli njofton janë vënë në dijeni të gjithë vendet e Ballkanit për ngjarjen, për të bërë të mundur gjetjen e “atdheut” të helikopterit.
Dyshimi i parë, avion i NATO-s
Ora 11:15 - Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se kërkimet për mjetin e humbur u zgjeruan deri në Kosovë. Sipas burimeve jozyrtare, mjeti fluturues mund t’u përkasë trupave të NATO-s. Dyshohet se mjeti mund të jetë një helikopter patrullues i NATO-s dhe të ketë humbur në malet e Tropojës. Ministria e Mbrojtjes nuk konfirmon ende se helikopteri u përket forcave të NATO-s.
Ra në Jezercë?
Ora 11:35 - Policia konfirmon se mjeti fluturues është helikopter. Dyshohet se është rrezuar në Malin e Jezercës, në fshatin Valbonë. Mendohet se ka të mbijetuar dhe ndihma e shpejtë nga Tropoja është nisur drejt vendit ku u rrëzua helikopteri.
Ende nuk është hedhur poshtë dyshimi se helikopteri mund t’i përkasë NATO-s, por as nuk konfirmohet zyrtarisht.
Rinasi konfirmon rrëzimin
Ora 11:45 - Edhe autoritet e aeroportit të Rinasit konfirmojnë marrjen e informacionit për rrëzimin e helikopterit. Nuk dihet numri i personave në helikopter.
Kërkime dhe në Mal të Zi
Ora 11: 55 - Një tjetër pistë hetimi është edhe ajo e rënies së helikopterit në zonën malazeze të Malësisë së Dukagjinit.
Mjegulla pengon kërkimet
Ora 13:00 - Mjegulla vështirëson punën për gjetjen e helikopterit të rrëzuar në majën e malit të Jezercës. Kërkimet bëhen vetëm nga ajri.
KFOR-i e Brukseli: Nuk është helikopteri ynë
Ora 13:20 - KFOR-i në Kosovë bën me dije se helikopteri nuk u përket atyre. Edhe Brukseli mohon që helikopteri të jetë i NATO-s. Edhe nga dikasteret përkatëse shqiptare nuk bëhet e ditur ende se kujt i përket helikopteri i rrëzuar në malin e Jezercës.
Dyshime se vinte nga Bosnja
Ora 14:20 - Burime jozyrtare pohojnë se helikopteri dyshohet se vinte nga Bosnje-Hercegovina. Megjithatë, ende nuk ka version zyrtar se kujt i përket helikopteri i rrëzuar në thellësitë e maleve shqiptare.
Ndërpriten kërkimet nga ajri
Ora 16:00 - Ndërpriten operacionet e kërkimit nga ajri. Shkak bëhet mjegulla e dendur, e cila e ka bërë pamjen të pamundur. Operacioni i kërkimit vazhdon në rrugë tokësore.
Precedentët
17 korrik 2006
Një nga tragjeditë më të rënda ajrore të ndodhur në Shqipëri është dhe rrëzimi i helikopterit “Bell 222”, ku udhëtonin gjashtë persona, mes të cilëve dhe i ndjeri Gramoz Pashko së bashku me të birin, Rubenin, vetëm 24 vjeç. Helikopteri u nis rreth orës 21.50 të datës 16 korrik 2006, nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, i drejtuar nga pilotët Vangjel Çondi dhe Demush Heba. Në bordin e “Bellit” që do të transportonte Gramoz Pashkon për një mjekim të specializuar drejt Italisë, ndodheshin dhe Qemal Koni, inxhinier dhe mjeku Aleksandër Baloi. Në orën 2.17 të datës 17 korrik 2006, helikopteri pati kontaktin e fundit me radion në kullën e kontrollit ajror në Rinas dhe pas këtij momenti gjithçka u përfshi në vorbullën e misterit. Pas përpjekjeve të shumta për zbardhjen e të vërtetës, prokuroria pa asnjë provë në dorë vendosi mbylljen e çështjes.
31 mars 2005
31 marsi i vitit 2005 do të mbahet mend gjatë për 9 familjet e ushtarakëve amerikanë dhe anglezë, që ngelën viktima të një aksidenti ajror në Shqipëri. Dy vjet më parë, një avion tip MC 130H “Combat Talon”, me 9 persona në bord, u rrëzua në Malin e Rovës, pranë fshatit Gribë, rreth 30 kilometra larg qytetit të Gramshit. Avioni i nisur nga aeroporti i Rinasit lëshoi sinjalin e parë SOS rreth orës 21:10 minuta, sinjal i cili u kap nga aparaturat satelitore në Pulia, të cilat një minutë më vonë këtë sinjal e përcollën në kullën e kontrollit të Rinasit. Në këtë moment ishte tepër vonë për avionin ushtarak, i cili ndodhej në 50 kilometra larg në vijë ajrore nga të dyja pistat më ta afërta të uljes, Kuçova dhe Rinasi. Rrëzimi i avionit ku humbën jetën 9 ushtarakë të huaj, cilësohet si një nga tragjeditë më të mëdha ajrore të ndodhura në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore.
16 shtator 2004
Një avion ushtarak u rrëzua në 16 shtator të vitit 2004, vetëm pak çaste pasi ishte ngritur në fluturim. Aksidenti i rëndë që ndodhi në orët e para të mëngjesit në zonën ushtarake të aeroportit të Rinasit, i mori jetën pilotit Jani Tarifa, ndërsa avioni i ngarkuar me municione luftarake shpërtheu, duke marrë flakë. Vetëm pak çaste pasi është shkëputur nga toka, avioni nuk ka mundur të marrë lartësinë dhe është përplasur disa dhjetëra metra larg fundit të pistës. Përplasja ka qenë fatale. Gjithçka ndodhi në një kohë shumë të shkurtër, pa i lënë kohë as vetë pilotit të përdorte katapultën për t’u shkëputur nga avioni.
Gjeneral-lejtnant Luan Hoxha: Asnjë shenjë
Autoritetet ushtarake në Tiranë thanë se nuk gjetën të dhëna materiale apo dëshmi që të vërtetojë lajmin për rrëzimin e një mjeti fluturues mbi Alpet e Shqipërisë. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneral-lejtnant Luan Hoxha, deklaroi se operacionet në terren vazhdojnë në rrugë tokësore, për shkak të kushteve të pavolitshme atmosferike, që pengonin fluturimin e helikopterëve. I pyetur nga “Korrieri”, Hoxha tha se deri tani nuk kemi asnjë kontakt fizik ku pretendohet se ka ndodhur aksidenti. Vazhdojmë operacionet nga toka nga Policia e Shtetit së bashku me strukturat lokale, ndërsa përkohësisht, për arsye se në luginën e Valbonës dhe në malet përqark ka mjegull, kemi ndërprerë fluturimin e helikopterëve, për shkak se nuk fluturohet në mjegull me helikopterë në këto kushte meteorologjike. Ai tha më tej, se nuk mund të konfirmonte nëse ka pasur në fakt një aksident të tillë dhe nëse ka humbje në njerëz
D. Ndrenika
dhe ufot tane nuk kane si gjejne homologet e tyre nga hapesira.
asnje helikopter nuk ka rene ,do kete rene gomari i ndonje banori qe ka qene per dru ne malin e jezerces