Rikthimi i zonjës Klinton

Publié le par Engjell Shehu

Rikthimi i zonjës Klinton

Enj, 06 Mars 2008
Nga Blendi Salaj
 +  -
E-mail   Print   PDF  
  
Komentet   Komenti juaj

 

Fitoret e rëndësishme të zgjedhjeve paraprake në Teksas dhe Ohajo i dhanë mbrëmë fushatës së senatores Klinton jetë të re pikërisht atëherë kur shumica e analistëve e kishin quajtur të humbur, dhe kur rivali Barak Obama kishte nisur (qysh tani) të debatonte në distancë me republikanin McCain, si për ta portretizuar jashtë loje znj.Klinton. E megjithatë sot në mëngjes (dje – shwn.red.) Senatorja ka plot arsye për të buzëqeshur, një buzëqeshje të madhe sa Teksasi.


Para të martës në mbrëmje gjërat dukej se po vinin drejt fundit për zonjën Klinton, kur edhe Partia e saj tregoi se e kishte humbur besimin në të, duke lëshuar sinjale se kishte ardhur koha që ajo të pranojë humbjen dhe të shtrëngojë radhët pas Obamës. Megjithatë, një krijesë e rafinuar politike siç është Senatorja, ajo diti ta shfrytëzojë revanshin e Barak Obamës, për të ekspozuar natyrën romantike të suksesit të tij, për të ripozicionuar veten tashmë jo më si pretendente, por si sfidante, si kandidatja me këmbët në tokë, në kontrast me retorikën ëndërrimtare të Senatorit Barak Obama, si gruaja me eksperiencë karshi rioshit me elokuencë.

Përveç Teksasit dhe Ohajos, Senatorja Klinton fitoi edhe shtetin e vogël Rhode Island që ndryshe nga herë të tjera kësaj radhe ishte faktor, pasi zakonisht, kur i vjen radha zgjedhjeve në Rhode Island ka mbetur vetëm një kandidat. Senatori Obama fitoi mbrëmë vetëm Vermontin. Pas fitoreve në 11 shtete rresht nuk është e tepruar të thuhet se humbjet e mbrëmshme do i kushtojnë Senatorit nga Illinoi, pasi në rast se do të kishte fituar Obama, do ishte konfirmuar që mbrëmë si kandidati për President i Partisë Demokratike.


***


Në kopertina revistash, faqe gazetash, në çdo ekran televiziv më shfaqet kudo portreti i Barak Obamës. Edhe pse nuk i kam kushtuar ndonjë interes të veçantë fushatës, është e pamundur t'i shpëtosh imazheve të tij, fragmenteve të fjalimeve mbushur me patos frymëzues. Turma të elektrizuara që kërkojnë Ndryshim thërrasin emrin e tij. Baraku nuk është thjesht kandidat për President, është një Rock Star. Gjithmonë me kostumin e zi - dhe vras mendjen se si do dukej me pulovër, po me t-shirt? E kam të vështirë ta imagjinoj. Këshilltarët e tij dhe media janë kujdesur që imazhi i Senatorit që stampohet në ndërgjegjet e zgjedhësve, të jetë i tillë, presidencial.


Personalisht, muajin e fundit kisha nisur të ndjej sesi makineria mediatike që mbulon fushatën presidenciale ishte pozicionuar qartas ne favor të senatorit Obama. Siç u pa, kjo nuk ishte një ndjesi vetëm e imja, por edhe e shumë njerëzve të tjerë, në Teksas, Ohajo dhe Rhode Island. Sepse ndodhka që kur një kandidat bëhet i tillë "Media Darling" dhe ekspozohet kaq gjerësisht, herët apo vonë velemi, qoftë edhe nga karizma e tij e padiskutueshme, dhe automatikisht nisim të qëmtojmë ato që nuk na pëlqejnë tek kandidati në fjalë. E ndërsa rrëmuam më tej, sesa sharmi frymëzues i fjalimeve të tij, gjetëm më pak substancë nga ç'prisnim për të justifikuar entuziazmin që e rrethon kandidatin e preferuar të Oprah's. Ajo që nisi të bëhet gjithnjë e më e qartë ishte disbalanca midis premtimeve për Ndryshim dhe mungesës së shpjegimit të një plani sesi ky ndryshim (lexo tërheqjen nga Iraku) do të ndodhë. Edhe në rast se ky plan ekziston, fare pak mbështetësit në ekstazë të Barak Obamës ia kanë idenë se çfarë plani është. Amerikanët janë të kapitur nga tetë vjet të mbushura me aventurat e pafata të Presidentit Bush, e kërkojnë ndryshim me çdo kusht, dhe kjo ka qenë njëra nga arsyet për suksesin e Obamës që shihet si dikush jashtë Washingtonit zyrtar, që do të përfaqësonte natyrshëm një kapitull tjetër në administratën amerikane.


Kampi i Klintonit nuk humbi rastin që ta shfrytëzojë mbiekspozimin e Barak Obamës për të vënë në dyshim kredencialet e Senatorit. Senatoria Klinton me dëshirë u paraqit si "underdog" përpara votimit të mbrëmshëm, por menjëherë pasi mësoi se ka fituar, nuk kurseu shigjeta të reja karshi Obamës, kur u shpreh se Ajo dhe republikani McCain do të sjellin eksperiencën e shumë viteve në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa Barak Obama do të sjellë "një fjalim". Kësaj radhe është ajo që tenton të paraqitet si rivalja e McCain, duke lënë në hije Barak Obamën


***

Ironike po ta mendosh, por fitorja e mbrëmshme e znj. Klinton gëzoi edhe republikanët të cilët tradicionalisht kanë migrena të forta, mjaft të dëgjojnë emrin Klinton. Gëzimi i tyre vjen prej faktit që sa më shumë të zgjasë beteja midis kandidatëve Demokratë, aq më agresive do bëhet ajo, e për rrjedhojë shkakton kaos dhe përçarje brenda radhëve të së majtës. Ndërkohë Republikanët e kanë përzgjedhur kandidatin e tyre, e janë tashmë në procesin e unifikimit për garën e madhe të Nëntorit.


Forcimi i pozitave të znj. Klinton do të ndiqet nga sulme gjithmonë më të forta midis demokratëve që rrezikojnë kështu të shkatërrojnë imazhin e njëri-tjetrit, duke bërë që cilido prej tyre të dalë fitimtar, të jetë një fitimtar i lodhur, që në mënyrë figurative i ka duart të lyera me gjakun e tjetrit. Kjo mund të arrinte deri aty sa negativiteti mes tyre të hidhërohej, deri aty sa të bënte të pamundur bashkëpunimin në një ekip të përbashkët President/zv. President.


Shtoi kësaj edhe çështjen e seksit dhe racës që përfaqësojnë kandidatët respektivë, dhe problemi komplikohet më tej. Sepse në rast se Obama humb, ekziston mundësia që një pjesë e votuesve të zinj dhe atyre që dëshirojnë të shohin presidentin e parë me ngjyrë, të zhgënjehen deri aty sa të votojnë për republikanin. Nga ana tjetër, nëse Hillari humbet, ata që do të votonin për të sepse duan të shohin Presidenten e parë grua, të mos kenë më arsye për të votuar për kandidatin demokrat dhe të kthehen nga McCain. Siç ka provuar deri tani, gara presidenciale e këtij viti është e paparashikueshme, vetëm një gjë është e sigurt, sido që të shkojë do jetë, interesante dhe historike, patjetër një mësim i shkëlqyer i artit të luftës politike.

Commenter cet article