Marre nga Panorama

Publié le par Engjell Shehu

Gjenerali: Shpërthimi,hakmarrje për tenderat
Printo Dergo me e-mail
 
 
Vendosur: 17/03/2008 - 08:36
• Katastrofa mund të jetë shkaktuar nga konkurrenca.

Një tjetër hipotezë shumë më e frikshme është hedhur dje nga Gjenerali Fabio Mini, i cili komandon misionin e KFOR-it në Kosovë. Intervista e botuar në gaztën italiane "Corriere della Sera", hedh dyshime për një akt terrorist të qëllimshëm, me prapavijë konkurrencën mes firmave për tenderët e Ministrisë së Mbrojtjes. E thënë nga një gjeneral, i cili parësore në punën e tij ka armatimet, dyshimi bëhet edhe më i frikshëm. "Ky mund të jetë një sabotim. Çmontimi i këtyre depozitave vendoset me tender, ku marrin pjesë firma të specializuara. Le të themi se dikush nuk ka bërë zgjedhjen e duhur. Eshtë një hipotezë por nuk mund ta hedhim poshtë si mundësi", thekson gjenerali në intervistën e botuar dje në Itali. Sidoqoftë, në intervistën që gazeta po e boton të plotë, Mini hedh dyshime të pastra edhe për sigurinë në punë, për kushtet e papërshtatshme që ka përdorur firma dhe për arsenalin e pafund të armatimeve mbi të cilën noton Shqipëria sot. Ai nënvizon se, fabrika e shpërthimit nuk kishte dhoma të ndara, gjë që e ka bërë katastrofën më të madhe. Por hipoteza e tij që ka në mes konkurrencën e bën akoma më të dyshimtë shpërthimin. Mini shpjegon edhe gjendjen e municionit shqiptar tejet të vjetër dhe tregon rrezikun evident të vetëshpërthimit të tij në çdo kohë.
Ku gjenden depozitat?
Pothuajse kudo. Disa u sulmuan në vitet 1996-'97. Prej tyre u morën shumë armë, nga të cilat pjesa më e madhe përfundoi në duart e militantëve të UÇK-së në Kosovë.
Në cilat kushte ndodhen depozitat shqiptare?
Në kushte të mëshirshme. Në disa raste janë kazerma të vjetra, të cilat nuk kanë as masat minimale të sigurisë. Për këtë po përpiqen t'i zbrazin, t'i çmontojnë: ato përbëjnë një rrezik të madh. Ka një plan të sektorit të mbrojtjes në Tiranë që në disa raste ka qëllimin e krijimit të strukturave më të mëdha, me qëllim për të ofruar më shumë qetësi. Për shembull, realizimi i diafragmave për ndarjen e grumbujve të municioneve.
Janë të gjitha depozita të vjetra?
Pjesa më e madhe e tyre u krijuan nga kinezët, kur lideri shqiptar Enver Hoxha kishte raporte të forta bashkëpunimi me regjimin maoist. Po flasim për vitet '60 dhe '70. Armë dhe municione u mblodhën sidomos në atë periudhë kohe. Megjithatë  edhe në vazhdim, në vitet '90, Shqipëria vazhdoi të blinte material belik e të prodhonte. Kështu depozitat u mbushën gjithnjë e më shumë.
Ai që u hodh në erë i përket viteve '60?
Po ishte shumë i vjetër dhe sipas meje, mund të kemi dy hipoteza. E para është se, sipas thënies, të mendosh keq bën mëkat por shpesh e gjen të vërtetën. Dhe kur flitet për Shqipërinë apo Kosovën kjo gjë bëhet e detyrueshme.
Dhe kur mendon keq, çfarë të vjen në mendje?
Që ky mund të jetë një sabotim. Çmontimi i këtyre depozitave  vendoset me tender ku marrin pjesë firma të specializuara. Le të themi se dikush nuk ka bërë zgjedhjen e duhur. Eshtë një hipotezë, por nuk mund ta hedhim poshtë si mundësi.
Po mundësia tjetër?
Një incident teknik. Duhet të marrim parasysh disa lloje eksplozivash, si p.sh., atë të granatave, mbushja e tyre pas disa vitesh mund të bëhet e paqëndrueshëm, dhe mjafton vetëm pak për të shkaktuar një ndezje.
Pra, mund të ketë ndodhur një shpërthim spontan edhe pa ndërhyrjen e dorës së njeriut?
Një ndërhyrje ka pasur me siguri. Po mund të ketë qenë një kontakt i thjeshtë apo një fërkim i lehtë. Problemi është ky: eksplozivi në municionet e vjetra mjafton pak për të shkaktuar një ndezje. Në rastin e shpërthimit të depozitës, fakti që janë verifikuar shumë shpërthime zinxhir tregon se mungonin diafragmat, muret ndarëse.

Shqipëria, luftë kundër kohës
Në Shqipëri po luftohet kundër kohës në operacionit e kërkimit dhe ndihmës së shpejtë për njësinë e ushtrisë në zonën rreth depozitës së armëve dhe municioneve të shpërthyera në fshatin Gërdec, ndërsa bilanci i viktimave mbetet ende i paqartë: deri tani konfirmohen nëntë të vdekur dhe shumë të plagosur, dhe të zhdukur gjithashtu. Ndërkohë është aktivizuar linja ajrore me Italinë në ndihmë të të plagosurve, disa prej të cilëve në kushte shumë të rënda. Veç viktimave kërkohet të kryhet edhe pastrimi i territorit në një rreze prej 4 km, ku janë përhapur nga të gjitha anët artileri nga të gjitha llojet. Pjesa më e madhe e banorëve të këtij fshati punojnë edhe për pak më shumë se 100 euro në muaj.


Punëtorja: S’na mësuan, çmontimi bëhej me dorë

Zelfie Cani, është një nga dëshmitarët e shpërthimit që ndodhi në fabrikën e Gërdeshit mesditën e ditës së shtunë.

Aida Malaj

Punëtorët sapo ishin lajmëruar për pushimin e drekës, ata nuk e dinin se çfarë do të ndodhte vetëm pak minuta më vonë. Ja si i përshkruan momentet e tmerrit, dëshmitarja 38-vjeçare, që kishte pak më tepër se një vit që punonte në fabrikën e çmontimit të municioneve.
Çfarë ishit duke bërë kur ndodhi shpërthimi?
Duhet të ishte ndoshta ora 12 pa 5, kur erdhi përgjegjësi dhe na tha që kishim pushimin e drekës. Ishim duke marrë ushqimet dhe po bëheshim gati të uleshim të hanim, kur dëgjuam zhurmën e madhe, flakët dhe tymin. Të gjithë sa ishim aty, vrapuam ku të mundnim.
Ishte tmerr, njerëzit shtynin njëri-tjetrin, njerëz që rrëzoheshin dhe shkelnin njëri-tjetrin kush të dilte më parë nga fabrika. Ata që u drejtuan për nga dera kryesore, kanë pasur më shumë dëmtime, ndoshta aty ishte grumbulluar baruti, ndërsa ne kemi vrapuar nga pas, nga dera tjetër.
Ku shkuat më pas kur dolët nga fabrika?
Ju sulëm pyllit dhe largoheshim sa të mundnim nga vendi, nuk di se sa kemi ecur dhe ku shkonim, di vetëm që iknim me vrap që të shpëtonim.
Sa veta punonin nga familja juaj në fabrikë?
Punoja bashkë me vajzën time 18 vjeçe, Adelina Cani, që tani
është e shtruar në reanimacion dhe tim bir, 20 vjeç që nuk ka pësuar dëmtime. Bashkë me ne punonte dhe dhëndri im, për të cilin nuk dihet gjë akoma. Vajza thotë që ai ishte duke punuar bashkë me të dhe kur ka ndodhur shpërthimi, i ka humbur nga sytë.
Sa kohë kishit që punonit në fabrikë?
Kisha më shumë se një vit që punoja në fabrikë, në qershor bëj 1 vit e gjysmë. Jemi lutur për të gjetur atë vend pune, sepse jemi hallexhinj dhe ato pak lekë që merrnim mundoheshim t'ia dilnim mbanë.
Sa paguheshit?
Varej nga norma që bënim. Në fillim norma ishte 10 mijë lekë, po kur nisëm me predhat u rrit me 20 mijë lekë. Por u rrit dhe norma dhe nuk arrinim ta bënim të gjithë. Ne punonim në grupe të vogla me tre veta, dhe duhet që të bënim 510 gëzhoja. Po nuk na dilte koha, sepse çdo gjë bëhej me dorë dhe nuk na llogaritej kur çmontonim, kur lëviznim karrocat vetë, vendosnim predhat në vend. Këto donin kohë dhe nuk arrinim të plotësonim numrin që ishte vendosur për normë.
Ju kishin trajnuar para se të fillonit punë?
Jo, s'na kishin mësuar gjë, ishin disa specialistë që na rrinin në kokë, kur bënim heqjen e djegores, apo kur hiqnim barutin, po çdo gjë e bënim vetë. Ata vetëm na ndiqnin gjatë punës.
Po të huaj kishte në fabrikë?
Ishin shumë pak, ndoshta 3-4, po ata nuk kishin punë me ne. Ata komunikonin vetëm me specialistët shqiptarë, që kishin lidhje direkte me ne.
Çfarë ka mbetur nga shtëpia juaj tani?
Asgjë, janë shkatërruar të gjitha, s'ka mbetur gjë.
Po ku po jetoni?
Po rri nëpër motrat që kam këtu në Tiranë, nuk dimë ç'do bëhet me ne. Shteti duhet të bëjë një gjë për ne, duhet të na sistemojë se ne kemi mbetur në qiell të hapur.

Shpërthimi merr jetë në Shqipërinë e varfër
Shkëlqim Prini duhej të martohej. Të dielën 21-vjeçari humbi të gjitha shpresat për të dëgjuar nga skuadrat e shpëtimit se e fejuara e tij, Zeli Elezi mund të ishte ende gjallë pas rrënojave të mbetura, nga shpërthimi i fuqishëm i depove të municionit. Të dy punonin në depon në Gërdec, duke zbrazur barutin nga mijëra predha që duhet të shkatërroheshin, kur ndodhi shpërthimi. "Ajo ishte në qendër të shpërthimit", tha Shkëlqimi, duke tundur me nervozizëm një shishe uji. "Nuk mendoj se ka mbijetuar". Çifti jetonte me 120 euro në muaj (190$), duke u përpjekur në shumë orë pune duke çminuar për të kursyer para për martesën e tyre.

Dhjetëra të lënduar në shpërthimin shurdhues
Shpërthimi i parë që ndodhi në Shqipëri u dëgjua edhe në Shkup, 120 milje larg. Autoritetet kanë evakuuar 4 000 njerëz nga tre fshatra dhe kanë rrethuar zonën, duke përdorur makina të blinduara. Dje qindra trupa dhe policë hynë në depot ende të ndezura për të kërkuar të mbijetuar. Shkatërrimi i armatimeve  është marrë përsipër nga një kompani shqiptare e nënkontraktuar nga "Southern Ammunition Company Inc. of Loris", Karolina e Jugut. Nuk ka pasur qytetarë të huaj në zonë. Vitet e kaluara janë shkatërruar rreth 6 000-7 000 tonë municione.

Shqipëri, kërkim nën rrënoja
Rreth 400 ushtarë shqiptarë po kërkojnë të mbijetuarit nën rrënojat e krijuara nga një seri shpërthimesh në një depozitë municionesh ushtarake. Një gazetar i "Reuters" ka shkuar në vendngjarje duke përshkruar një ambient tërësisht të shkatërruar, me copa shtëpish të shpërndara kudo dhe kratere të gjatë 50 metra dhe të thellë deri në 20 metra. Valët e zjarrta të provokuara nga shpërthimi kanë djegur ferrat dhe kanë shkatërruar ullinjtë e zonës. Mijëra plumba e predha, disa të pashpërthyer, janë ende të shpërndara në fshat, ku sheh rëndom edhe kufoma qensh e pulash.


Kontrata e dyshimtë e Mbrojtjes

SAC (Southern Ammunition Company), kompania amerikane që ishte duke bërë çmontimin e predhave të artilerisë, më 15 mars 2008, në momentin e shpërthimit katastrofik në Gërdec, kishte dy muaj që shkelte edhe vetë në terren të minuar.

Ferdinand Dervishi

Kjo për shkak se ajo ishte e specializuar vetëm për çmontimin e asgjësimin e fishekëve luftarakë të formatit të vogël dhe jo të predhave të artilerisë, një proces që kërkon më shumë se një amendim, apo ripërtëritje të së njëjtës kontratë. Për më tepër që, si në rastin e çmontimit të fishekëve të kalibrit të vogël, edhe në rastin e çmontimit të predhave të artilerisë, e njëjta barrë pune u ka rënë të njëjtëve punonjës të nënkontraktorit shqiptar, Mihal Delijorgji. Por që të kalohet nga një proces më i lehtë dhe i parrezikshëm pune në një tjetër, për të cilin lipsen rregulla të hekurta, specialistët, madje dhe ata brenda Ministrisë së Mbrojtjes, thonë se duhet të kalohet nëpër disa procedura ligjore jo të thjeshta. Procedura që në këtë rast çuditërisht nuk u kanë krijuar, qoftë përfaqësuesve të Ministrisë së Mbrojtjes, qoftë atyre të kompanisë amerikane, asnjë problem të vetëm. Thjesht për amerikanët ka mbaruar kontrata me fishekët dhe nga këtu, pa marrë akoma frymë, ata janë hedhur te predhat e artilerisë, metali i gëzhojave së të cilave duket se shitej në treg për skrap.
Amerikanët e "Southern..."
"Southern Ammunition Company" është kontraktuar në vitin 2006 nga Ministria e Mbrojtjes për çaktivizimin e fishekëve luftarakë të kalibrit të vogël, ku edhe ishte e specializuar. Gjithçka në pamje të parë, përsa i përket dokumentacionit, ka qenë në rregull. Amerikanët duhet të çmontonin apo asgjësonin, sipas kontratës, 100 milionë fishekë të kalibrit 7.62 mm, 20 milionë fishekë të kalibrit 12.7 mm dhe 20 milionë të kalibrit 14.5 mm. Me të fituar këtë mundësi, amerikanët e SAC i kanë besuar punën në terren një nënkontraktori shqiptar, një ndërmarrjeje me pronar Mihal Delijorgjin. Duke e grumbulluar këtë sasi municioni në fabrikën apo repartin e Gërdecit, punëtorët kanë përpunuar edhe fishekun e fundit, apo të 1 milion e 40 mijtë, në janar të këtij viti. Me kaq kontrata e SAC përfundonte me nder. Por për çudi të njëjtët punëtorë të ndërmarrjes së Delijorgjit kanë vazhduar punën, këtë radhë duke bërë çmontimin e predhave të artilerisë të kalibrave, 122, 130 dhe 152 mm. Ato vijuan të silleshin nga depo të ndryshme ushtarake edhe në skajet më të largëta të vendit duke u grumbulluar në fabrikën apo repartin e Gërdecit. Eshtë pranuar zyrtarisht se amerikanët kanë amenduar, apo ribërë një kontratë të re me Ministrinë e Mbrojtjes për çmontimin e predhave. Pikërisht këtu, sipas specialistëve të këtyre lloj operacioneve, por edhe sipas hetimit të Prokurorisë, kanë nisur të çalojnë punët dhe të sjellin për pasojë katastrofën.
Fajet e shtetit
Padyshim që gabimi i parë dhe i dukshëm i palës shqiptare është kontraktimi i një kompanie që nuk është e specializuar apo edhe e licencuar për këtë proces pune. Në faqen e saj zyrtare të internetit "Southern Ammunition Company" thotë se është e specializuar për çmontimin e fishekëve luftarakë të kalibrit të vogël. Këtu lind pyetja: A është marrë në konsideratë nga rikontraktuesit shqiptarë ky fakt? Njëkohësisht dyshime mund të hidhen edhe për procedurat e kontratës, pasi për çmontimin e sasisë së predhave të artilerisë duhet të ribëheshin veprime të njëjta tenderimi si edhe në rastin kur SAC fitoi tenderin për fishekët e kalibrit të vogël. Dhe pikërisht këtu, aksioma universale shkak-pasojë duket se gjen një shembull perfekt. Sërish çmontimi bëhet nga të njëjtët punëtorë të ndërmarrjes së nënkontraktorit Delijorgji, në një kohë që ata duhet të specializoheshin për këtë proces të ri pune. Pikësëpari vetë ndërmarrja e Delijorgjit duhet të jetë e licencuar për të tilla operacione pune. Por edhe nëse punëtorët shqiptarë janë të trajnuar, punëdhënësi i tyre duhet të tregojë modularët e programit të trajnimit si dhe certifikatat e punonjësve. Përfundimisht, specialistët e kësaj kategorie pune thonë se ligji i thyer, apo i pazbatuar pothuaj në të gjitha hallkat e tij, është bërë shkak për katastrofën. Kemi procedura të dyshimta të dhënies së tenderit të dytë një kompanie amerikane që nuk është e specializuar në çmontimin e predhave të artilerisë, kemi një nënkontraktor shqiptar që me anë të së njëjtëve punëtorë të pa specializuar i hyn punës për çmontim... dhe pasoja: Një shpërthim me përmasa atomike në portat e Tiranës.

Koincidenca e tragjedive, ndodhën të shtunave

Katastrofa e parë nga shpërthimi i municioneve, në kujtesën e shqiptarëve është regjistruar ajo e ndodhur në zonën e Qafë-Shtamës në pranverën e '97. Një bilanc tragjik me gati 10 të vdekur dhe shumë të gjymtuar tronditi ato ditë të vështira mbarë opinionin. Pak ditë më vonë, në maj të vitit '97 një shpërthim tjetër në depot e Picarit të Gjirokastrës  do të merrte jetën e katër oficerëve dhe do të plagoste me dhjetëra të tjerë. Disa aksidente të shkëputura kanë ndodhur pas kësaj në depot e njësisë së Beratit, Burrelit e Elbasanit. Në maj të vitit 2006, shpërthimi i depove të municionit në Dhëmblan, do të shkaktonte një tjetër katastrofë. Dy ndër specialistët e operacioneve të demontimit, do të humbnin jetën. Shpërthimi këtë radhë do të terrorizonte krahinën e do të lëndonte me dhjetëra  banorë të saj. Një tjetër shpërthim pas atij të Dhëmblanit, do të ndodhte në depot e Voskopojës, me pasojë vdekjen e dy specialistëve dhe plagosjen e disa të tjerëve. E fundit në radhën e tragjedive të tilla, do të vinte kjo e Gërdecit. Çuditërisht, gati të gjitha katastrofat me arsenalet luftarake kanë ndodhur në ditë të shtunë....

Kompania SAC: Bëjmë çmontim të fishekëve të kalibrit të vogël

Në faqen e saj të internetit (www.southernammo.com/contact_us.htm) kompania amerikane që operonte në Gërdec thotë se, është e specializuar për asgjësimin apo çmontimin e fishekëve të kalibrit të vogël. Saktësisht në nënndarjen (services we offer - shërbimet që ofrojmë) ajo thotë: Veç këtyre produkteve që ne kemi, "Southern Ammunition" ofron shërbime që mund t'u interesojnë vendeve dhe kompanive që kërkojnë të shpërbëjnë municione të kalibrit të vogël...


Vendimi që urdhëron Mbrojtjen të mbikëqyrë procesin e çmontimit 
Në mjegullnajën e pasngjarjes, pati zëra, qoftë të painformuar, se Ministria e Mbrojtjes kishte për detyrë vetëm transportin e predhave në repartin e Gërdecit dhe asgjë më tepër. Por i njëjti pretendim nuk qëndron as logjikisht dhe për të nuk ka as bazë dokumentare. Përkundrazi. Në vendimin 138 të Këshillit të Ministrave të datës 14 mars 2007, urdhërohet pikërisht Ministria e Mbrojtjes që të mbikëqyrë apo supervizojë veprimet e ndërmarrjeve apo kompanive të ndryshme që kanë fituar të drejtën apo tenderët e asgjësimit apo çmontimit të municioneve të ndryshme luftarake. Vendimi saktëson: "Procesi i çmilitarizimit e çmontimit të kryhet nën mbikëqyrjen dhe sigurinë ushtarake të reparteve të Forcave të Armatosura, duke regjistruar me hollësi të dhëna për regjimin, lëvizjen dhe sasinë e municioneve të dorëzuara dhe të atyre të çmontuara..."  
Më tej, teksa përmenden procedurat për lidhjen e kontratave, urdhërohet të kihet parasysh: Përvoja e ofertuesit në fushën e armatim-municioneve, kapacitetet teknike, lloji i teknologjisë së përdorur në procesin e çmilitarizimit e çmontimit, afatet, ndikimi në mjedis, respektimi i masave të sigurisë gjatë procesit të çmilitarizimit e të çmontimit...

Commenter cet article