Revoltë e shprehur përmes humorit dhe satirës

Publié le par Engjell Shehu

Recensiongezi-Ajgeraj.gif

 

Revoltë e shprehur përmes humorit dhe satirës

 

(Engjell SHEHU: “E mbaj veten si për mbret”, poezi satirike, botoi Shtëpia Botuese: NTP "FLOMED", Prishtinë , 2005)

 

Gëzim AJGERAJ

 

Të pa kohët e kohës janë nën thumbin e satirës, humorit e deri nën sarkazmin e vargut të Engjell Shehut. Kjo kohë edhe jo aq e mirë, kur shikohet me syrin real, siç e sheh poeti është e mbushur me shqetësime, hipokrizi, servilizëm, hile, jo moral, karrierizëm, gënjeshtra e çka jo tjetër. Ajo sillet rreth e rrotull nesh, krijon shqetësime, probleme të cilat shpesë na e prishin edhe rehatinë shpirtërore. Poeti Shehu, duke ja arritur ti kalojë ato shqetësime, me mënyrën më perfide ja arrin ti luftojë ato dobësi përmes ironisë, humorit dhe satirës e deri në sarkazëm. Ai në mënyrë të fuqishme, përmes vargut satirik, vë në thumb të demaskimit këto dukuri që për fat të keq sorollaten hapësirave tona. A nuk janë servilët, pjesë e një realiteti? Për të cilët në vargun poetik thotë:

 

Për hiçgjë shkon e shitet

Si mastiq njerëzve u ngjitet

                  Servili, fq. 8

 

A nuk janë servilët ata që për interesa të ngushta personale, bëjnë koncesione edhe me interesat shoqërore e kombëtare. Dhe të gjitha këto karaktere të liga i gjejmë nën thumbin e përbuzjes dhe përqeshjes në vargun plotë satirë. Është guxim i Engjell Shehut, i cili përpos që i lufton e i thumbon, e tejkalon aktin e urrejtjes, duke kaluar në ironi përbuzëse e përqeshëse të këtyre karaktereve. Vënja në lojën e satirës, tregon se krijuesi jeton me kohën, e përcepton atë drejtë, e dallon dhe e lufton me përqeshje ligësinë. Ai shkon më tej duke i çveshur në mënyrë ironike këto karaktere ”nëpërmjet shtazëve”, siç e thotë redaktori Flori Bruqi, fq. 114, duke i goditur servilët, hileqarët, hipokritët, gënjeshtarët, karrieristët, spiunët e tradhtarët, mashtruesit, parlamentarët, nofkat virtuale etj. Të gjitha karaktere e ndërtojnë një kohë që poeti e quanë; ”Rrenë e plotë”.

 

LAKURIQËSIA E NJË KOHE

 

Përplot pabesi, na përcjellë koha nëpër të cilën rrapëllojmë dhe kjo kohë bëhet aq neveritëse kur dihet se sa e rëndësishme dhe sa mitike për ne është fjala besë. Atë si fjalë e gjejmë kudo tek ne, sa respektohet dhe sa mbahet ajo sot për sot e dijmë të gjithë.

 

Jo të gjithë s`vrapojnë kështu

Por ca njerëz që kanë kokën dru

S`e dinë mirë se ç`është besa

Thonë se e vërteta është me kthesa

                         Besa, fq.29

 

Vargu i Engjëll Shehut shpalosë edhe dashurinë, dëshirat e personalitetit të mërguar – emigrantin, jetën, familjen etj. Dhe e gjithë kjo shpalosje për rreth vetes, ka edhe shqetësime pa qofshin edhe ato direkte në adresë të poetit.  Nofkat janë hijet më të pa fytyra që e shqetësojnë atë. Ato janë të maskuara, të fshehta, vijnë ditën e natën, trillojnë e shpifin, prishin disponim, sjellin hidhërim me vete, terrorizojnë si mos më zi. A nuk janë ato letra anonime, e-majle anonime me gjithfarë lloj nofkash të trilluara, telefonata anonime etj. Dhe të gjitha këto shqetësime në vargun e Shehut, quhen nofkë.

 

 

KRAHASIMI QË THUMBONË

 

Siç thamë më lartë, kopenë e të ligëve, autori e çveshë përmes karaktereve të shtazëve, duke i ç`maskuar ato nga velloja e ligësisë që i shoqëron brenda shpirtit, ai ua shpalosë ligësinë e tyre, forcën, dhe tërheqë vërejtjen për dëmin që ato i sjellin një shoqërie të tërë. Për ti luftuar ligësitë, është i nevojshëm një mobilizim i përgjithshëm në mënyrë që e liga të jetë sa më larg neve. Një varg thotë:

 

Më në funde ato egërsira

Që na sillnin shumë ligësira

S`linin gjë në fshat pa ngrënë

Dhe pse mbanim shumë qenë

 

Ndaj dhe ne u mobilizuam

Gjithë fshati u bashkuam

Mblodhëm qentë që të gjithë

Se rrugë tjetër me ta nuk kish

 

                             Derrat dhe ujqërit, fq.53.

 

Pra gjatë shfletimit të satirës së Engjell Shehut, krahasimin e karaktereve të përqundnuesëve të kësaj kohe, e gjejmë nëpërmjet karaktereve të shtazëve, përmes së cilës më së miri shpaloset afërsia e atyre karaktereve me botën shtazore. Dhe këtu krijuesi ia del më së miri, për ta thumbuar të ligën.

 

KOSOVA IME

 

Engjëll Shehu edhe pse jeton në Tiranë e Belgjikë, dashuria e tij për Kosovën bëhet varg. Është dashuria e atdheut që e ndjekë atë, atij atdheu të coptuar pa trojet etnike, pa Kosovën, plagën që rrjedhë gjak. Plagët e Kosovës i ndjenë nga afër, bëhen dhembje edhe e tij, është dhembja e vëllezërve të gjakut. Ajo është dhembje e pa ndashme e atdheut, e kombit që i takon.

 

Një popull bashkë ne jemi

Kemi emrin shqiptar të gjithë

Është ky emër që këtë komb

E mban të gjallë dhe na lidh

            Kosova ime, fq.75

 

Brenda këtij cikli autori shpalosë akte edhe nga jeta e tij në dhe të huajë. E kaluara nën diktaturë, sigurisht se është hije e pa ndashme për çdo krijues që kaloi katrahurave t¨r sajë. Nuk ngelen anash as zhvillimet që ndodhën vitet e fundit edhe në Shqipëri, të cilat prodhuan ngjarje të bollshme, të mira e të liga për një pjesë të popullit tonë, e që sigurisht autorin e ngacmojnë që ato ti vë nën thumbin e satirës dhe humorit të tij në varg. Prapë satira; shtazët, kafshët, personazhet e vargut: Ujku dhe Cjapi, fq. 93, lepuri dhe qengji, fq. 95, ariu dhe njeriu, fq. 110, etj. Satirës së Shehut nuk i mungon përqeshja e pashallarëve.

 

Erdhi koha e pashallarëve

Maskarenjve dhe pazarëve

Kush më shumë e kush më pak

Po të gjithë kanë një zanat

              Pashallarët, fq.98.

 

I gjithë vargu i shprehur në satirë, është një përjetim nga afër i cili na përcjellë e po na përcjell të gjithëve në këtë kohë. Ka ndodhur dhe po ndodhë një tronditje në mesin tonë dhe për rreth dhe brenda kësaj përzierje dhe kaosi, e liga ka fituar hapësirë të gjerë, ndaj dhe sjellë dhembje edhe mes njerëzve të mirë, shoqërisë së gjerë, e pa tjetër edhe kombit  dhe shtetit. Të gjitha këto ligësi brenda hapësirave tona, janë halli i autorit se si ti luftojmë ato, se sa më shumë që i çveshim e i përqeshim, do të jenë më të ngushta hapësirat e përhapjes së tyre. Këto ligësi duhet të i largojmë njëherë e përgjithmonë nga ambienti i ynë, sepse vetëm atëherë do të jemi një shoqëri e shëndoshë. Këtu edhe thumbon vargu i Engjell Shehut, i cili me shumë guxim dhe vendosmëri, për mes vargut satirik, e thumbon kohën dhe ligësitë e sajë. Dhe e gjithë mbretëria e personazheve të Shehut, shembet brenda satirës së tij, që tani më kush më bukur se ai, din ti vargëzoj në varg lakuriqësitë e kohës që mbështjellon hapësirave tona.

Le të shpresojmë se Poeti Engjell Shehu, do të vazhdojë me satirën e tij dhe përherë do të jetë në vigjilencën e kohës.

 

                                                           3 shtator 2005, Zvicër

 

Commenter cet article