Valentina Leskaj: Djemtë më kanë lehtësuar jetën

Publié le par Engjell Shehu

Valentina Leskaj: Djemtë më kanë lehtësuar jetën Printoni E-mail
Shkruar nga Elisabeta Dosku   
Tuesday, 12 February 2008
ImageNuk e pyesim për nismat e fundit të opozitës dhe as për debatet parlamentare. Deputetja Valentina Leskaj këtë herë rrëfen një pjesë të panjohur në publik të jetës së saj. Është prej kohësh e angazhuar fillimisht në lëvizjet qytetare dhe më pas në politikë. Por nëse besojmë aksiomën se pas çdo politikani të suksesshëm qëndron dhe një familje me baza të forta, atëherë Valentina Leskaj është mishërimi më i mirë i këtij modeli.

Ka dy djem, Arianin e Besnikun, dhe Leskaj thotë se janë dy nga njerëzit që i kanë lehtësuar më shumë karrierën e saj. Janë njerëzit që e kanë mbështetur më shumë në aktivitetin e saj me këshilla, por edhe duke i qëndruar afër në momentet më të vështira. Në rubrikën "Fëmijët e politikanëve", Leskaj tregon për marrëdhëniet e saj me dy djemtë, karakterin e tyre, punën dhe mënyrën se si e kanë ndërtuar ata jetën.

Si mund t'i përshkruani fëmijët tuaj me pak fjalë?
Ariani më ka lehtësuar jetën, pasi është një djalë shumë i mirë. Ai ka një karakter të përmbajtur, i vetëkontrolluar dhe shumë serioz për moshën që e ka përfaqësuar. Ka qenë dhe vazhdon të jetë një djalë serioz. Ai ka studiuar në një shkollë publike, dhe unë edhe sot mbështes shkollat publike, madje edhe mbesa ime studion në një shkollë publike. Mbesa studion në shkollën "Emin Duraku". Arsyeja e kësaj zgjedhje është se unë i vlerësoj shumë shkollat publike dhe ne politikanët duhet të jemi të parët, për shkak se fëmijë nuk duhet të ndihen të diferencuar apo të privilegjuar nga tjerët. Ariani është biznesmen, ka ngritur një biznes ndërtimi, dhe është shumë serioz në punën e tij.
Besniku është ekonomist. Në profesionin e tij ka ndikuar familja, sepse unë kam studiuar për ekonomi politike. Bashkëshorti im, Astriti ka studiuar për kimi industriale dhe ka pasur një mbështetje për shkencat ekzakte. Ai ka studiuar në Itali e më pas në Francë, duke e fituar vetë bursën, dhe kjo ka qenë një gjë mjaft e rëndësishme për mua. Nuk flas këtu vetëm nga ana ekonomike, por ka provuar që  t'i dalë zot vetes dhe jetës. Ai për momentin është papunë, por ndihmon në një të afërm në një zyrë konsulence. Po përpiqet të ndërtojë diçka me forcat e tij.
Cilat janë disa nga cilësitë që kanë trashëguar nga ju?
Ndoshta motivimi ndaj gjërave, ndjenjën e pavarësisë, ekuilibrin dhe që janë mjaft punëtorë. Është e vështirë të njohësh cilësitë e vetes tënde, por besoj që janë disa gjëra që edhe unë i kam marrë nga nëna ime. Ekuilibrin, vetëpërmbajtjen, respektin ndaj të tjerëve, mbështetjen në djersën tënde dhe një ndjenjë pavarësie. Secili ka marrë cilësi nga unë, por jo të dy të njëjtën gjë. Ariani është tip i ftohtë, më i përmbajtur. Ndërsa Besniku është më i brishtë nga pikëpamja emocionale. Por në fakt kjo ka të bëjë me shfaqen e jashtme. Megjithatë, ajo që më bën të ndjehem mirë si nënë është fakti se të dy djemtë e kanë ndërtuar jetën e tyre vërtet në një mënyrë model. Në kuptimin e dy djemve punëtorë, intelektualë, të respektueshëm, jo vetëm në marrëdhënie me të tjerët, por edhe brenda familjes.
Cilat janë raportet që keni krijuar me djemtë dhe sa të afërta janë ato?
Këtë pyetje mund ta cilësoja në dy aspekte: Jemi edhe afër, edhe larg. Jemi shumë afër, pasi pothuajse komunikojmë edhe ndajmë shumë gjëra me njëri- tjetrin, por jemi larg, sepse respektojmë pavarësinë, individualitetin e njëri-tjetrit. Ata tashmë kanë pavarësinë dhe jetën e tyre.
Me cilin prej djemve ndjeni se keni raporte më të afërta dhe përse?
Është e vështirë të bësh këtë diferencë, pasi të dy djemtë më mungojnë shumë. Kjo për faktin se unë jam shumë e angazhuar dhe nuk mund t'i kushtoj kohën e duhur, gjithashtu edhe ata janë të angazhuar. Pra është një mungesë që vjen nga të dyja palët.
Sa keni ndikuar ju si nënë në zgjedhjet e fëmijëve tuaj?
Natyrisht që kam ndikuar shumë, pasi kam ndjerë pjesën e përgjegjësisë së prindit. Jam marrë shumë me fëmijët, edhe pse kam qenë një grua shumë e angazhuar, gjithmonë kam gjetur kohë  dhe një mënyrë për t'u marrë me fëmijët e mi. Kjo nuk do të thotë që ata kanë qenë nën tutelë, ndikimi im ka qenë një prezencë jo imponuese. Nuk kam vënë kurrë dorë mbi fëmijët e mi. Kur kanë qenë të vegjël, ka pasur gjëra që ua kam imponuar. Nuk u kam toleruar asnjëherë që të neglizhojnë shkollën dhe të mos respektojnë të tjerët. Megjithëse kjo e fundit është një gjë që ata e kanë pasur gjithmonë, pasi është diçka që të kultivohet nga familja.
Sa ndikon dhe sa i ndihmon ata fakti që janë djem të një politikaneje të suksesshme?
Djemtë nuk e kanë pasur asnjëherë si aset ose si një privilegj këtë gjë. Për vetë faktin se ata kanë ecur vetë në jetë, pasi janë djem të mësuar. E dyta, besoj se ndjenja e pavarësisë u ka dhënë mundësi që të mos kenë nevojë për një nënë politikane. Unë kam hyrë shumë vonë në politikë dhe ata e kanë ndërtuar jetën dhe profilin e tyre përpara se unë të futem në politikë. Më parë kam qenë në shoqërinë civile, një punë kjo, e cila nuk të jepte privilegj, por vetëm detyrim qytetar. Nga kjo pikëpamje më kanë ndihmuar dhe nuk i kam ndihmuar, sepse mjafton të them që më kanë lehtësuar jetën, duke më dhënë mundësi që unë të angazhohem në politikë.

Ariani
Ariani, është djali i madh i Valentina Leskajt. Ai është 38 vjeç, është i martuar dhe ka dy fëmijë. Ai ka studiuar në fakultetin e Ekonomisë, një profesion ky që e ka trashëguar nga e ëma. Ariani cilësohet si një djalë me karakter të përmbajtur, i vetëkontrolluar dhe shumë serioz për moshën që ka përfaqësuar. Ai është biznesmen, dhe është i angazhuar tërë kohën me biznesin e tij të ndërtimit. Ariani karakterizohet si një tip i ftohtë, por shumë i përmbajtur.

Besniku
Besniku, është djali tjetër i deputetes Leskaj. Ai është 31 vjeç dhe është i fejuar. Edhe Besniku, sikurse nëna e tij dhe vëllai i madh, ka studiuar për Ekonomi, një zgjedhje kjo që me sa duket është ndikuar nga nëna e tyre. Ai ka studiuar në Itali e më pas në Francë. Për momentin ka hapur një zyrë konsulence. Besniku cilësohet si një djalë i brishtë nga pikëpamja emocionale. Ajo që e  karakterizon atë, është respekti për  të tjerët, për familjen dhe për veten.
 

 
Pour être informé des derniers articles, inscrivez vous :
Commenter cet article